Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit u shpreh se ‘sjellja e pushtetit po e paaftëson vendimmarrjen në kuvend’, raporton Gazeta Enigma.
Seanca e sotme e Kuvedit filloi me diskutimet rreth themelimit të Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë.
Gashi tutje theksoi se Kuvendi duhet ta themelojë një Komision të tillë, pasi e kërkuan 40 deputetë dhe sipas tij Kuvendi nuk duhet të marrë asnjë vendim pa formuar këtë Komision.
“Sa i përket grupit parlamentar të LDK-së, situata është delikate dhe mendoj se mënyra e sjelljes së pushtetit po e paaftëson vendimmarrjen në kuvend. Kjo është vështirësim i nivelit të demokracisë në kuvend.Ne mendojmë se kuvendit duhet patjetër të themelojë komisionin e kërkuar nga 40 deputetë nënshkrues dhe s’ka logjikë institucionale politike që kuvendi të aktrojë sikur është në normalitet në kohën kur vendit po i cenohet demokracia. Kuvendi s’duhet të marrë asnjë vendim përpara se të themelohet komisioni hetimor parlamentar. Të vazhdojë seanca ku kemi mbetur për komisionin dhe më pas të hyjmë në një fazë tjetër”, tha Gashi./ GazetaEnigma