Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni të mërkurën, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Kosovës.
Meqenëse Spanja nuk njeh ende Republikën e Kosovës, shteti ynë nuk do të paraqitet me simbolet e saj.
Siç u njoftua, Sanchez do të udhëtojë në Lubjanë për një takim të udhëheqësve të Bashkimit Evropian përpara samitit që do të mbahet me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, transmeton FrontOnline.
Herën e fundit Presidenti i atëhershëm i Spanjës, Mariano Rajoy, ishte i ftuar në një tubim të tillë në 2018, por ai vendosi të mos marrë pjesë për shkak të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës, kujton e përditshmja katalanase “El Periodiko”.
Në atë samit, të gjitha simbolet e Kosovës ishin hequr dhe kjo, me kërkesë të Spanjës, do të ndodhë përsëri të mërkurën në Lubjanë, shkruan e përditshmja katalanase. Së bashku me Spanjën, Kosova nuk njihet as nga Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.
Qeveria spanjolle njoftoi se samiti i kësaj jave nuk po mbahet për të folur për mundësinë e zgjerimit të anëtarësisë, por për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.