Gazetari i njohur shqiptar, Ylli Aga: Ndaj Polonisë luajmë me 12 lojtarë, stadiumi do të jetë i mbushur

Gazetari i njohur shqiptar, Ylli Aga: Ndaj Polonisë luajmë me 12 lojtarë, stadiumi do të jetë i mbushur

Kombëtarja e Shqipërisë ka para vetes dy ballafaqime sa të rëndësishme, po aq edhe të vështira në kualifikueset e Kupës së Botës 2022.

Shqipëria do të luajë të shtunën ndaj Hungarisë në ‘Puskas Arena’ me fillim nga ora 20:45, kurse tre ditë më pas rikthehet të luajë në ‘Air Albania’ në Tiranë ndaj Polonisë, poashtu nga ora 20:45, para mijëra tifozëve që po presin me padurim ballafaqimin e lojtarëve të Eduardo Rejas.

Gazetari dhe komentatori i njohur, Ylli Aga, i cili ka shumë vite që përcjell nga afër zhvillimet e sportit shqiptar mendon se kombëtarja shqiptare deri tani ka zhvilluar paraqitje pothuajse perfekte në kualifikimet e Kupës së Botës 2022.

Sipas tij, ndeshjet e kombëtares ndaj Hungarisë dhe Polonisë vijnë në kohën e duhur, pasi ka vetëbesim brenda grupit.

“Kombëtarja e Shqipërisë ka para dy ndeshje të rëndësishme, sepse ka punuar dhe luftuar për të mbërritur në këtë pikë, që të duken të tilla. Me përjashtim të humbjes në Poloni fushata eleminatore e kuqezinjve ka qenë perfekte. Ndeshjet mbërrijne në momentin e duhur, pasi dalloj që skuadra ka fituar mjaftueshëm vetëbesim, ka cilesinë e mjaftueshme për të tentuar maksimumin, ose minimalisht për t’i luajtur të gjitha shanset e tyre. Keqardhja e vetme janë mungesat e Abrashit dhe Laçit, që mund të jepnin kontributin e tyre në këto ndeshje praktikisht finale për renditjen përfundimtare në grup”, tha fillimisht Ylli Aga për ‘GazetaBlic Sport’.

Për takimin ndaj Polonisë që do të zhvillohet me 12 tetor, ka interesim tejet të madh nga shqiptarët anëembanë. Aga zbulon se deri sot janë shitur rreth 20 mijië bileta dhe pas shumë pak kohësh nuk do të ketë më vende të lira. Aga beson se në këtë duel Shqipëria “do të jetë me 12 lojtarë”, pasi përkrahja e tifozëve do të jetë e madhe.

“Për fat të mirë, ecuria pozitive e kombëtares ka bërë bashkë sërish të gjithë faktorët perreth saj. Konfirmimi për këtë është lejimi i hyrjes së tifozëve në kapacitetin maksimal të stadiumit “Air Albania”. Interesimi i tifozëve është shumë i lartë. Ende pa u luajtur ndeshja në Hungari, janë shitur afro 20 mijë bileta, që për pak orë do jemi në situatën “sold out”. E sigurtë që atmosfera e krijuar dhe entuziasmi i tifozëve do të krijojnë ndjesinë se ndaj Lewandovski and co, kuqezinjtë do jenë praktikisht me 12 lojtarë në fushë”, vazhdoi Aga.

Në fund, Ylli Aga foli edhe për mundësitë që ka kombëtarja shqiptare për kualifikim në Kupën e Botës 2022.

“Çështja e kualifikimit? Është shumë e bukur për ta dëgjuar, imagjinoni të bëhet realitet. Llogaritë janë të veshtira dhe të ndërlikuara, pasi renditja në vendin e dyte në grup do të konsiderohej një mrekulli, por kur kujton se do te duhet të kalojmë me sukses edhe dy ture ‘play-off’ zhvendosemi në kufinjtë e të pamundurës”, përfundoi Ylli Aga.

Vlen të theksohet se Shqipëria nga gjashtë ndeshjet që ka luajtur deri më tani në kualifikueset ka grumbulluar 12 pikë dhe pozicionohet në vendin e dytë në renditjen tabelare, me katër pikë më pak se Anglia, një pikë më shumë se Polonia, e dy pikë më shumë se Hungaria.

Related Articles