Gërvalla me vendim ndalon punësimin e familjarëve në Ministrinë e Jashtme

Gërvalla me vendim ndalon punësimin e familjarëve në Ministrinë e Jashtme

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka nënshkruar një vendim përmes të cilit ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ajo tha se për shkak të këtyre punësimeve, gjendja në këtë Ministri ka qenë “e mjeruar” dhe tha se ka pasë shumë punësime të anëtarëve të ngushtë të familjes.

“Nepotizmi, familjarizmi, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe llogaridhënies si pasojë e këtyre dukurive, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Diasporës kanë qenë ndër arsyet kryesore të gjendjes së mjeruar në të cilën e kam gjetur këtë institucion. Është i gjatë rreshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”.

Gërvalla tha se vendimin e ka marrë për ta përfunduar këtë, ndërsa tha se pret “kundërshtime të forta”.

“Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.  Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”.

Related Articles