Gërvalla në takim me homologun arab kërkon mbështetje për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Gërvalla në takim me homologun arab kërkon mbështetje për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me Ministrin e Jashtëm të Arabisë, Princi Faisal bin Farhan Al-Saud, teksa po zhvillon vizitë zyrtare në Arabinë Saudite.

Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Arabia Saudite i ka ofruar Kosovës në periudha të ndryshme dhe përkrahjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ajo e ka njoftuar Princin Faisal bin Farhan Al-Saud me prioritetet e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e posaçërisht të politikës se jashtme, e cila në fokus qendror ka forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë pikë, Gërvalla ka kërkuar mbështetjen e Arabisë Saudite” thuhet në kumtesën e MPJD-së.

Kryediplomatja e Kosovës ka bërë të ditur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin bilateral me Arabinë Saudite e posaçërisht në rrafshin ekonomik. Ajo ka theksuar se Kosova tashmë ka krijuar parakushte mjaft të mira për investime të huaja, të cilat shihen si të domosdoshme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Gërvalla ka inkurajuar organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike, të cilat do t’i shërbenin komunitetit biznesorë të të dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al-Saud, ka ritheksuar qëndrimin përkrahës të shtetit të tij karshi Kosovës dhe angazhimit të saj për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar./Gazeta Enigma/.

Related Articles