Gërvalla nga Varshava: Të ndalet politika ledhatuese për Serbinë

Gërvalla nga Varshava: Të ndalet politika ledhatuese për Serbinë

Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, ka thënë se vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Rusi në 80-vjetorin e Luftës së Dytë Botërore, është mesazh që bota perëndimore të ndalë politikën ledhatuese për Serbinë.

Nga Varshava e Polonisë, ku u mbajt takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, shteteve kandidate dhe atyre me status kandidat potencial, Gërvalla ka përmendur sulmin e Banjskës, si tregues për qasjen destruktive të Serbisë.

“Vuçiqi edhe në të kaluarën ka dhënë mesazhe destruktive. Ju kujtohet se vetëm në shtator 2023 ne u përballëm me sulm që erdhi direkt nga Serbia me paramilitarë që na sulmuan dhe që kishin armatim të madh, anti-tank dhe anti-ajror. E dini se Kosova s’ka tanke. Këto armë janë të dizajnuara për t’i kërcënuar ushtarët tuaj që janë në KFOR dhe që mbrojnë paqen dhe mbrojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo para gazetarëve në Varshavë.

Ajo ka thënë se BE-ja duhet ta kuptojë se siç ka dështuar politika e tillë ndaj Rusisë, do të dështojë njëjtë edhe me Serbinë.

“Për mua është hap shumë normal (vizita e Vuçiqit në Rusi, v.j.), hapi i ardhshëm që Vuçiqi ia tregon gjithkujt se ku ai beson që Serbia përket dhe me të vërtetë shpresoj që kjo do të bëjë që partnerët, aleatët të marrin mesazh të qartë dhe të ndalin politikën ledhatuese që ka dështuar në Rusi me Putinin dhe do të dështojë me Serbinë po ashtu. Por pyetja është se çka do të jetë çmimi që rajoni do të paguajë nëse Evropa, BE-ja dhe partnerët tanë perëndimorë vazhdojnë politikën ledhatuese për Serbinë shumë hegjemoniste që është kërcënim për të gjithë fqinjët tanë në rajon”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, në një shkrim në Facebook për takimin, ajo ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është domosdoshmëri strategjike si përgjigje ndaj realiteteve të reja gjeopolitike dhe sfidave që rrezikojnë paqen.

“Ky forum zhvillohet në një moment kyç për të ardhmen e kontinentit tonë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një projekt abstrakt politik, por një domosdoshmëri strategjike, një përgjigje konkrete ndaj realiteteve të reja gjeopolitike dhe sfidave që rrezikojnë themelet e paqes dhe sigurisë evropiane. Në këtë kontekst të ri, ku arkitektura e Evropës po rikonfigurohet përballë kërcënimeve dhe sfidave të shumanshme, takimi në Varshavë përfaqëson një mundësi për të marrë vendime të guximshme dhe për të artikuluar një vizion të qartë për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe thellësisht demokratike”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se Kosova në këtë tryezë mori pjesë “me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri ynë është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit”.

Gërvalla ka thënë se Kosova është shtet që nuk kërkon vetëm integrim në BE, por kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian.

“Në Varshavë, riafirmojmë se Republika e Kosovës është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, në rajon dhe në gjithë kontinentin”, ka përfunduar Gërvalla.

Related Articles