Gërvalla për AP: Nëse Ukraina s’e fiton luftën me Rusinë, Evropa të përgatitet për konflikte të tjera

Gërvalla për AP: Nëse Ukraina s’e fiton luftën me Rusinë, Evropa të përgatitet për konflikte të tjera

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të mërkurën se Kosova është e bindur se Rusia duhet ta humbasë luftën në Ukrainë që konflikti të mos përhapet më tej në Evropë. Ajo tha se mbështetja për Ukrainën është e pakushtëzuar edhe pse Kievi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ashtu si ukrainasit sot, populli i Kosovës ishte objektiv i krimeve të luftës dhe mizorive të tjera nga forcat e sigurisë së Serbisë në vitet 1990, një përvojë që e çoi Kosovën të kërkonte pavarësinë, shkruan AP.

Gërvalla tha se Kosova vazhdimisht i kujton synimet agresive të Serbisë dhe aleatit të saj Rusisë.

“Ukraina nuk e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet, por ne vërtet besojmë se e dimë saktësisht se çfarë po kalon Ukraina”, tha ajo në një intervistë për Associated Press.

“Dhe ne e dimë se ka vetëm një zgjidhje, jo vetëm për Ukrainën, por për Evropën”, tha ajo. “Vetëm Rusia mund ta humbasë luftën dhe Ukraina ta fitojë këtë luftë. Përndryshe, Evropa duhet të përgatitet për konflikte të tjera në kontinentin tonë”.

“Ndërsa Kosova është një shtet i vogël me mundësi shumë modeste për të ndihmuar, ne jemi përpjekur të jemi shumë ndihmues me Ukrainën dhe nuk kemi hezituar të tregojmë mbështetjen dhe simpatinë tonë të pakushtëzuar ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës”, tha Gërvalla për AP.

Përkujtimi i fundit i Moskës që kërcënon Kosovën erdhi këtë javë kur një kanal rus në rrjetin social “Telegram” bëri thirrje për një sulm ndaj faqeve të internetit të qeverisë së Kosovës pasi ministri i mbrojtjes i Kosovës njoftoi për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, në një konferencë në Varshavë të martën.

Related Articles