Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, të hënën ka zhvilluar një takim me homologen e saj estoneze Eva-Maria Liimets, në kuadër të takimeve që po zhvillon me kryediplomatë dhe krerë shtetërorë në Nju Jork, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit, palët kanë vlerësuar se raportet mes të dy vendeve janë shumë të mira dhe kanë konsideruar që duhet të thellohet bashkëpunimi bilateral përmes konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive të jashtme, për të çuar përpara çështje me interes për të dyja vendet.
Theksohet se palët janë pajtuar se për avancimin e agjendës evropiane duhen reforma të thella e posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit. Ministrja Gërvalla ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka prioritet kryesor forcimin e rendit dhe ligjit dhe se është duke punuar shumë në këtë drejtim.
Ndërsa, ministrja e Jashtme e Estonisë ka ritheksuar qëndrim mbështetës të shtetit të saj në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.