Gjakova në zgjedhjet lokale – profilet e kandidatëve

Gjakova në zgjedhjet lokale – profilet e kandidatëve

Në komunën historike të Gjakovës, tetori i këtij viti sjell garë të fortë për postin e kryetarit të komunës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kreu aktual, Ardian Gjini po sfidohet nga katër kandidatë me profile të larmishme politike. Në zgjedhjet e 12 tetorit përballet me Ardian Gola nga LVV, Ervin Shabani nga PDK, Shefqet Shehu i LDK-së, dhe Anton Shala i PSHDK-së.

Ardian Gjini vjen përsëri si emër i AAK-së në garën për këtë komunë. Në dhjetor 2017, Gjini u zgjodh Kryetar i Komunës së Gjakovës, dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në 2021. Në zgjedhjet e tetorit Gjini kërkon mandatin e katërt. . Gjini ka qenë ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë konfliktit për çlirimin e Kosovës. Karriera e Gjinit është thellësisht e ndërlidhur me institucionet qendrore. Prej dy mandate deputeti dhe kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, ai drejtoi komisionet për Punë të Jashtme dhe Legjislacion. Po kështu, ai ka qenë pjesë e qeverive të hershme post-luftërore si këshilltar politik (për Rexhepin dhe Haradinajn), dhe më pas si Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (2005–2007). Ka fituar Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Europiane nga Universiteti i Kentit në Canterbury.

Profesori universitar Ardian Gola është fytyra më e re e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për kryetar të komunës së Gjakovës. Ai ka një karrierë akademike të fuqishme. Ai përfundoi Bachelor dhe Master në Sociologji në Universitetin e Prishtinës dhe mbrojti doktorraturë në të njëjtën fushë në Universitetin e Tiranës. Është punësuar në Universitetin e Prishtinës që nga 2007, fillimisht si asistent, më pas si profesor asistent si dhe shef i Departamentit të Sociologjisë nga viti 2014 deri në 2021. Ka shërbyer si Zyrtar i Lartë për Informim dhe më pas si Drejtor i Zyrës për Integrime Evropiane në Ministrinë e Shërbimeve Publike (2005–2010). Gola iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje në janar 2021, duke u bërë pjesë e parlamentit të Kosovës në Legjislaturën e VIII-të. Ai udhëhoqi Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini e Sport.

Me synimin për të sjellë ndryshimin që qyteti ka nevojë, Ervin Shabani, një profesionist i afirmuar, është formalizuar si kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjakovës. Shabani vjen me një CV të konsoliduar në fushë të administratës shtetërore: aktualisht shërben si Inspektor i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë — pozicion që i ka lejuar të demonstrojë profesionalizëm dhe përkushtim për zbatimin e standardeve tregtare dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Përpara kësaj, ai kontribuoi edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ku u përfshi në projekte strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e ekonomisë vendore.

LDK synon Gjakovën me emrin e Shefqet Shehut. Zgjedhur në mars 2023 kryetar i degës së LDK-së në Gjakovë me 92 vota për, pa asnjë kundër apo abstenim, Shehu ka fituar respektin e strukturave vendore dhe ka vendosur veton e tij mbi drejtimin politik lokal. Në zgjedhjet e fundit, ai nuk arriti të siguronte votat në garën për deputet.

Anton Shala, kandidat për Kryetar të Komunës së Gjakovës nga PSHDK për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se synon të punojë për një Gjakovë më të fortë, më të drejtë dhe më transparente, duke e konsideruar qytetarin partnerin kryesor në marrjen e vendimeve.  Në dhjetor 2019, u zgjodh kryetar i Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Gjakovë. Gjithashtu ka shërbyer si kryesues i Kuvendit të Komunës së Gjakovës. /Gazeta Enigma/

Related Articles