Konfliktet në familjet kosovare për motive shpesh edhe banale, janë raste që jo rrallëherë përfundojnë edhe në Polici.
Prindër, motra e vëllezër kërkojnë ndihmën e organeve të rendit për t’i zgjidhur problemet që lindin mes tyre dhe për pasojë eskalojnë në sharje, ofendime e kërcënime.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Gjon Sereqi’ në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë vëllain dhe kunatën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçari u ka thënë viktimave se do i mbys dhe më mirë mos të dalin. Ai madje dyshohet se ka tentuar edhe t’i sulmojë fizikisht.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.