Një person në Gjakovë ka përfunduar me pranga në duar.
Kjo pasi Policia u njoftua se i dyshuari po mbante me forcë dy viktima dhe po i kanoste me armë zjarri.
Policinë e ka njoftuar një djalë i cili i ka thënë se ai me motrën e tij po mbahen nën kërcënim të armës në shtëpinë e të dyshuarit në Gjakovë.
Sipas Policisë, djali ka arritur të ikte, por motra kishte mbetur brenda. I dyshuari është bashkëshorti i saj.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore, përfshirë njësinë e hetimeve dhe NJRSH-në, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të treguar, është arritur që i dyshuari të arrestohet. Gjatë ndërhyrjes, dhe kontrollit të realizuar në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike e cila dyshohet se është përdorur në rast dhe 54 copë fishekë. Në vend-ngjarje po ashtu është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e dyshuar substancë narkotike”, njoftoi PK-ja.
Ndërkohë, viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara. /Gazeta Engima