Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson mjaft shumë shoqërinë, sidomos për faktin se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe në institucionet arsimore.
Një dukuri e tillë, sa shqetësuese aq edhe alarmante është vërejtur në shkollën “Haxhi Hoti” në Rogovë të Gjakovë, ku një nxënës është kapur me armë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një të mitur, të moshës 12-vjeçare, te i cili është gjetur një armë zjarri.
Posa rasti u denoncua, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë sekuestruar armën, teksa nxënësi është shoqëruar në stacion policor, ku në prezencë të prindit është intervistuar lidhur me rastin.