Gjashtë vite kanë kaluar nga nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe.
Kjo marrëveshje mori dritën jeshile në Kuvendin e Kosovës me 83 vota për. Mirëpo kjo marrëveshje nuk mori edhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata konstatoi se marrëveshje ishte në kundërshtim më Kushtetutën në plot 21 nene.
Mirëpo pala serbe vazhdimisht po insiston që kjo marrëveshje të zbatohet, dhe një gjë të tillë po e bëjnë edhe në takimet e Brukselit.
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese Kadri Kryeziu thotë se Kosova në një mënyrë apo tjetër është e obliguar ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin.
“Nëse Kosova nuk e zbaton marrëveshjen vepron kundër ligjit që vet e ka nxjerrë. Marrëveshje e Brukselit është shndërruar në një ligj të brendshëm i cili duhet të zbatohet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Kadri Kryeziu, përcjell Gazeta “Enigma”.
Ndërsa ish-anëtari i delegacionit të Kosovës në dialog, Gazmir Raci, thotë se një Asociacion pa kompetenca ekzekutive nuk është në interes të Serbisë.