Pas reshjeve të borës që arritën në mbrëmjes e së dielës, duke përfshirë kryesisht Rrafshin e Kosovës, java në vazhdim do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme, specifikisht deri të enjten.
Nën këto kushte, moti parashikohet me diell dhe vranësira, e kohë pas kohe do të përcillen me reshje shiu dhe erëra mjaft të forta. Meqenëse presionet e ulëta të cilat vijnë nga perëndimi i kontinentit, do të jenë të shtrira deri në Afrikën Veriore, duke bartur edhe koncentrime të larta të pluhurit Saharian.
Kështu, dita e sotme u karakterizua me reshje shiu e bore gjatë orëve të para të 24-orëshit, ndërsa dita vazhdoi me diell dhe vranësira, e në zona të caktuara kishte edhe reshje të izoluara shiu.
Të martën moti parashihet fillimisht me diell dhe vranësira të pakta në pjesën e parë të ditës, ku në orët e mëngjesit priten edhe ngrica. Gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat në orët vijuese të pasditës dhe mbrëmjes pritet të gjenerojnë reshje shiu në shkallë vendi.
Dita e mërkurë do të vijojë me diell dhe vranësira dhe me ngritje më të ndjeshme të temperaturave, përderisa në zona të caktuara pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit.
Të enjten kemi parakalimin e një sistemi frontal që nga orët e para të 24-orëshit e deri në mëngjes, me lëvizje perëndim-lindje. Sistemi pritet të sjellë reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve, ku ka mundësi të ketë edhe ndonjë shkarkesë elektrike në zona të caktuara. Dita do të vazhdojë me diell dhe vranësira të pakta.
ga dita e premte e në fundjavë, për herë të parë pritet të shtrihen masa më të ngrohta ajrore, të cilat do sjellin edhe temperatura mbi 20°C. Nën këto kushte, moti do të karakterizohet kryesisht me diell.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-70 km/h. Deri të mërkurën era do të jetë e përqëndruar kryesisht në Rrafshin e Kosovës, ndërsa të enjten do të ketë fuqizim edhe në zona të tjera. Nga dita e premte parashihet më normalizim i situatës.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 25°C. /MeteoKosova/