Dy mjete të pashpërthyera janë gjetur të mërkurën në dy lokacione, ka njoftuar Policia, raporton Gazeta Enigma.
Në raportin e Policisë thuhet se në të dyja rastet njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të mjeteve.
Rasti i parë u raportua në Kaçanik.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer afër hekurudhës. Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shpërthyer mjetin në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt. Lidhur me rastin, është informuar edhe prokurori”, thuhet në raport.
Kurse rasti i dytë në Rahovec.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se gjatë punës me ekskavator në oborrin e shtëpisë së tij ka hasur në një mjet të dyshimtë të pashpërthyer. Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim, kanë tërhequr mjetin e dyshuar-granatë dore A-6, në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt”.