Të shtunën, tre të mitur nën moshën 14-vjeçare, janë raportuar si të zhdukur nga nëna e tyre në Prizren.
Policia ka bërë të ditur se sot (e diel), ata janë gjetur në stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka thënë se të miturit dyshohet se kanë vjedhur një automjet me të cilin kanë udhëtuar për në Prishtinë.
“Të miturit janë shoqëruar në Prizren dhe në prezencë të prindit janë intervistuar. Gjendja e tyre shëndetësorë është e mirë. Por, të miturit ditën e raportimit si të zhdukur dyshohet se kanë kryer veprën penale vjedhje të automjetit dhe me atë automjet kanë shkuar në Prishtinë”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, “nëna ka raportuar se tre fëmijët e saj me datën 26 mars 2022 rreth orës 09:00 kanë dalë nga shtëpia dhe nuk dihet se ku kanë mundur të shkojnë”.
Në lidhje me rastin ishin njoftuar hetimet regjionale si dhe Prokurori i Shtetit nga departamenti për Krime të Rënda./Gazeta Enigma/