Gjendet 7-vjeçari nga Kosova që kishte humbur në plazhin e Shëngjinit

Gjendet 7-vjeçari nga Kosova që kishte humbur në plazhin e Shëngjinit

Një fëmijë 7-vjeçar nga Kosova, që ishte larguar nga prindërit gjatë pushimeve në plazhin e Shëngjinit, u gjet shëndoshë e mirë falë reagimit të menjëhershëm të Policisë së Shtetit dhe vrojtuesve bregdetarë.

Ngjarja ndodhi gjatë mesditës së sotme, kur në Sallën Operative të DVP Lezhë u mor një telefonatë nga një pushuese nga Kosova, e cila raportoi se djali i saj ishte zhdukur dhe nuk po mund ta gjente. Menjëherë pas njoftimit, strukturat e Rendit në Shëngjin, përfshirë patrullat me biçikleta dhe ekipet e vrojtuesve, nisën kërkimet në zonën përreth.

Pas afro një ore kërkimesh intensive, fëmija u lokalizua nga punonjësit e Policisë dhe iu dorëzua familjes në gjendje të mirë shëndetësore. Nëna e të miturit falënderoi autoritetet për reagimin e shpejtë dhe koordinimin efektiv, që bënë të mundur kthimin e sigurt të djalit të saj.

Policia e Shtetit thekson rëndësinë e vigjilencës së prindërve në zonat e plazhit dhe garanton angazhim maksimal për sigurinë publike gjatë sezonit turistik.

Related Articles