Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike.
Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë është zbuluar edhe së fundmi në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Sipas burimeve, gjatë kontrollit nga ana e oficerëve, janë gjetur dhe sekuestruar disa qese me marihuanë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.