Reshjet e dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit në Kosovë kanë shkaktuar probleme në shumë komuna, sidomos në zonën e Dukagjinit.
Gjendje e rënduar përveç në Pejë është edhe në Istog. Në fshatin Kërrninë të kësaj komune 5-6 familje kanë mbetur të bllokuara dhe ekipet komunale janë duke bërë evakuimin e tyre.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin, drejtori i Drejtorisë për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Demaj.
“Gjendja është e rëndë, sidomos në fshatin Kërrninë dhe Rakosh. Jemi duke bërë evakuimin e disa familjeve dhe kafshëve pasi janë të rrezikuar. Niveli i ujit po rritet vazhdimisht”.
“Edhe në pjesë të tjera të Istogut ka vërshime, por probleme më të mëdha ka në Kërrninë. Janë diku 5-6 familje që kanë mbetur të bllokuara”, deklaroi Demaj.
Sa i përket dëmeve materiale, ai tha se ka por nuk janë të mëdha.
Ndërsa, rrugë e pakalueshme sipas tij është vetëm një – ajo që lidh Kërrninën me Osejanin.
“Për momentin në atë rrugë ka vështirësi për të kaluar, por ekipet janë duke punuar në terren”, u shpreh tutje Demaj.
Media lokale “RTV Fontana” ka publikuar pamje nga fshati Kërrninë, ku shihet se vërshuar nga të reshurat e shiut.
Ndryshe, gjendje e rënduar nga vërshimet është edhe në Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Podujevë.