Gjermanët nuk i japin shumicën asnjërës parti

Gjermanët nuk i japin shumicën asnjërës parti

Dominanca e partive CDU/CSU dhe SPD i përket tani së shkuarës – zgjedhësit kanë votuar qartë për ndryshimin. Ky është një shans për ndryshimet e nevojshme, mendon kryeredaktorja e DW Manuela Kasper-Claridge.

Ndryshimi ka ndodhur. Vota e gjermanëve është e qartë: T’u jepet fund kompromiseve minimale të „koalicionit të madh”. Të hapet rruga për detyra të mëdha si mbrojtja e klimës, digjitalizimi dhe modernizimi i nevojshëm i Gjermanisë. Këtë detyrë herkualiane partitë mund ta realizojnë tani vetëm së bashku partitë më të vogla. Në të gjitha opcionet për koalicione të mundshme si partia „Të Gjelbërit” edhe ajo liberal-demokrate FDP do të luajnë rol të rëndësishëm. Pa këto dy parti nuk mund të krijohet qeveria. E është mirë kështu. Nodshta madje kështu krijohet një qendër e re liberale.

Nusja e gjelbër me kosto të lartë

Rritje të ndjeshme elektorati ka pasur partia Të Gjelbërit, gjë që tregon, se frika për pasojat e ndryshimit të klimës i preokupon zgjedhësit. Me këtë rezultat Të Gjelbërit do të hyjnë plot vetëdije në bisedimet e sondazhit për krijimin e koalicionit qeverisës. Ekologjistët janë si nusja, që po e kërkojnë shumë, por ajo mund tarrisë koston e pajës. Por me gjasë Gjermania është më pak e gatshme për ndryshimet nga sa kishte shpresuar kandidatja e ekologjistëve Annalena Baerbock. E aq më tepër nëse këto ndryshime kushtojnë para. Edhe këtë e dëshmon rezultati i zgjedhjeve.

FDP bashkëvendos

Edhe FDP është e rëndësishme. Krijimi i qeverisë së re pa këtë parti është i pamundur. Liberalët me konceptet e tyre politike shumë të ndryshme nga ato të ekologjistëve mund t’i frenojnë disa prej dëshirave të të gjelbërve. Liberal-demokratët i besojnë tregut të lirë, insistojnë për digjitalizimin dhe duan mbrojtjen e klimës pa rritjen e taksave. Se si mund të funksionojë kjo, pritet të sqarohet në bisedimet e sondazhit për krijimin e qeverisë.

CDU/CSU në bankën e opozitës

Është i qartë dështimi elektoral i CDU/CSU-së, edhe pse humbja e votave është më e vogël nga sa parashikonin sondazhet e fundit. Minusi dramatik krahasuar me zgjedhjet e mëparshme është mëse evident. Kandidati për kancelar Armin Laschet nuk arriti t’i bindë zgjedhësit, ndonëse si kryeministër i landit të Renanisë Veriore – Vestfalisë ai është i suksesshëm. Edhe partia simotër bavareze CSU ka pësuar humbje. Rezultati më i dobët ky për këtë parti në zgjedhjet parlamentare që nga viti 1949. Pas 16 vjetësh në qeveri unionit konservator s’i mbetet veçse të ulet në bankën e opozitës.

Opsioni Xhamajka

Megjithatë CDU/CSU do të përpiqet me të gjitha mundësitë të krijojë qeverinë – një të ashtuquajtur koalicion Xhamaika (shën. red. për shkak të ngjyrave simbol të partive që përkojnë me ngjyrat e flamurit të Xhamajkës) – koalicion zi, gjelbër, verdhë pra me ekologjistët dhe liberalët. Kjo është e mundur, edhe pse konservatorët dalin forca e dytë. Vendimtare do të jetë, se kush do t’ia arrijë të krijojë një koalicion me një mazhorancë të qendrueshme. E në historinë federale ka ndodhur tri herë që grupi më i fortë parlamentar nuk ka arritur të ketë kancelarin.

Merkel 2.0

Një sfidë kjo për Olaf Scholz, i cili e bëri partinë socialdemokrate më të fortën në këto zgjedhje. Ndonëse me fitore të ngushtë, ai ia doli të rikuperojë në mënyrë të pashmbullt pozicionin e SPD-së. Socialdemokratët në sondazhe luhateshin në fillim të fushatës pjesërisht deri tek 12 përqind. Partia popullore e dikurshme dukej se ishte përtokë. Olaf Scholz ia doli kthesës. Megjithatë se çfarë synon ai personalisht, çfarë është e rëndësishme për të, kjo mbeti e paqartë. Ai të le përshtypjen si një lloj “Merkel 2.0”. Tek ai mund të mbështetesh, është profesionist dhe pa emocione të mëdha. Kjo duket se u ka pëlqyer zgjedhësve.

Opsioni semafor

Tani Olaf Scholz duhet të tregojë, se çfarë potenciali ka. Nëse ai do të bëhet kancelari i ardhshëm, duhet të hyjë shpejt në bisedime me të gjelbërit dhe liberalët. Krijimi i një koalicioni me ngjyrat e semaforit: kuq, gjelbër, verdhë, është qëllimi i tij. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Sepse atij do t’i duhet t’u bëjë lëshime partive më të vogla. Lidhur me politikën për klimën ose atë fiskale. Të njëjtën gjë do të përpiqet të bëjë edhe CDU-ja, të cilën ai e ka pas qafe.

Rezultati ende i hapur

Rezultati është ende i paqartë, por gjermanët nuk e duan vazhdimin e politikës së Angela Merkelit. Pushteti dhe influenca e partive të mëdha CDU dhe SPD krahasuar me kohët e mëparshme është tkurrur ndjeshëm.

Politika gjermane po bëhet më e larmishme. Ky është një shans i madh për trajtimin e temave të së ardhmes. Mbrojtja e klimës dhe digjitalizimi. /DW

Related Articles