Gjermania do të dërgojë 40 tanke Marder dhe një sistem të mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë në tremujorin e parë të vitit 2023.
Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebstreit në një konferencë të mbajtur ditën e sotme.
“Sa i përket Marder-ëve, flasim për një batalion, rreth 40 automjete. Këto 40 automjete duhet të dorëzohen në Ukrainë brenda tremujorit të parë”, tha ai.
Po ashtu, zyrtari gjerman sqaroi se trajnimi i ushtarëve ukrainas për përdorimin e automjeteve do të zgjasë rreth tetë javë dhe se do të zhvillohet në Gjermani.
E njëjta paketë përfshin gjithashtu një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot, me dërgimin e një grupi të planifikuar për tremujorin e parë.
Në një bisedë telefonike që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati me Olaf Scholz, e falenderoi kancelarin gjerman për paketën specifike të mbrojtjes, ndërsa diskutuan për “bashkëpunimin e mëtejshëm për forcimin e ushtrisë ukrainase”.