Më 24 tetor pritet që në Bruksel të zhvillohet takimi i radhës i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në nivel kryenegociatorësh.
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pret të enjten Besnik Bislimin e Petar Petkoviq.
Klisman Kadriu, këshilltar i Bislimit, të premten tha se në takim do të diskutohet për Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e Ohrit.
“Javën e ardhshme, më 24 tetor, do të mbahen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorit. Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, tha ai.
Ndërkohë, pikërisht sot, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde foli në lidhje me dialogun, duke thënë se aktualisht nuk ka shumë përparim.
Kështu, ai theksoi se pa normalizim, nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëri-tjetrin dhe kanë vullnet politik për të arritur progres sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje që ne të ecim përpara dhe jam i sigurt se Lajçak dhe ekipi i ri në komision duan përparim, dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm”, u shpreh ambasadori gjerman.
Kryenegociatorët udhëtuan më 17 shtator për në Bruksel, megjithatë, nuk pati takim trepalësh.
Pas përfundimit të takimeve dy palëshe, Bislimi nga Brukseli kishte thënë se takimi trepalësh u refuzua nga Serbia me tendencën e vendosjes së temave të tjera në agjendë.
“Edhe për ne është pak mister sepse ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, kishte thënë ai.