Gjilanasi raporton rrejshëm se u grabit, s’guxoi t’i tregojë familjes se i harxhoi paratë nëpër disko në Slloveni

Gjilanasi raporton rrejshëm se u grabit, s’guxoi t’i tregojë familjes se i harxhoi paratë nëpër disko në Slloveni

Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe motivet shpesh dalin të jenë mosmarrëveshje, të cilat të dyshuarit tentojnë t’i zgjidhin duke mashtruar, ose të përfitojnë në forma të ndryshme.

Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet ndaj një 42-vjeçari, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti u zbulua derisa Policia po ndërmerrte veprimet e nevojshme hetimore, pas denoncimit të të dyshuarit, se ka qenë cak i grabitjes. Në deklaratën e tij, i dyshuari kishte kërkuar ndihmë nga Policia, gjoja se dikush e ka grabitur derisa po kthehej nga Sllovenia me disa persona.

Personi i dyshuar ka  raportuar rrejshëm me pretendimin personat me të cilët erdhi deri në Kosovë i kanë dhunuar dy vajza, e më pas ia kanë marrë atij 500 euro para të gatshme.

Por thirrja për ndihmë ka aktivizuar Policinë, me ç’rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit kishin nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gjatë procesit të hetimit, u ngritën dyshime në lidhje me rastin, pasi hetuesit nuk kishin gjetur prova se i dyshuari është grabitur. Kjo bëri që Prokurori të urdhërojë riintevristimin e tij, me ç’rast aty u zbulua gjithçka.

Sipas dëshmisë së të dyshuarit, arsyeja pse ka raportuar rrejshëm është frika që ka pasur nga familja për të hollat që ka shpenzuar për jeten e nates në Slloveni. 

Lajmërimi i rrejshëm i këtij rasti, i ka kushtuar të dyshuarit.

Ndaj tij është nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve për veprën penale “Lajmërimi apo Kallëzimi i Rremë” dhe është urdhëruar dorëzimi i kallëzimit penal.

Related Articles