SC Gjilani në edicionin e ardhshëm pritet të jetë një ndër skuadrat më të forta në elitën e futbollit kosovar. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi që tani ka nisur të mendojë për transferime.
“Zeri.info” mëson se klubi nga Anamorava synon katër përforcime të mëdha në verë. Blend Baftiu, Arbër Prekazi e Edvin Kuc nga Ballkani dhe Albert Dabiqaj i Feronikelit janë katër lojtarët që synohen me ngulm nga gjilanasit në verë.
“Timonieri” Munishi dhe klubi gjilanas i vlerësojnë maksimalisht lojtarët në fjalë, derisa tashmë kanë nisur edhe negociatat për veshjen e tyre kuqebardhë.
Gjilani së fundmi e ka nisur edhe operacionin “fshesa”, pasi futbollistët Darko Nikaq dhe Ivan Fustar tashmë janë larguar nga skuadra. Ndryshe, Gjilani dy xhiro para përfundimit të edicionit ndodhet në pozitën e katërt, me 48 pikë të grumbulluara. Dy ndeshjet e fundit në kampionat i zhvillon ndaj Prishtinës në Gjilan dhe ndaj Besës në udhëtim.