Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti ka firmosur rinovimin e kontratës me skuadrën e Atalantës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi shqiptar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Palët kanë gjetur marrëveshjen mes tyre, me Gjimshitin që do të mbajë veshur fanellën “bergamaske” edhe për katër vitet e ardhshme, me klubin italian që ka “blinduar” mbrojtjen, teksa nuk bëhet e ditur se sa do jetë paga e lojtarit pas këtij rinovimi.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam vazhduar kontratën me Atalantën. Mezi pres të kem shumë momente të tjera të suksesshme me këtë klub”, njoftoi Gjimshiti.
Kujtojmë se mbrojtësi i Kombëtares është kthyer në një pikë kyçe në formacionin e Gasperinit, ndërsa paraqitjet e treguara nga lojtari kanë ndihmuar Atalantën edhe në marrjen e rezultateve pozitive.