Gjukanoviq e kërcënoi me rrëzim të Qeverisë, Abazoviq nuk lëshon pe: Do të nënshkruhet Marrëveshja me Kishën e Serbisë

Gjukanoviq e kërcënoi me rrëzim të Qeverisë, Abazoviq nuk lëshon pe: Do të nënshkruhet Marrëveshja me Kishën e Serbisë

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq ka njoftuar zyrtarisht se do ta ngrejë çështjen e zëvendësimit të Qeverisë nëse javën e ardhshme nënshkruhet Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS).



Në një intervistë për N1, ai theksoi se interesat shtetërore të Malit të Zi nuk ishin të mbrojtura sa duhet në tekstin e asaj kontrate dhe se gjithçka ishte bërë në mënyrë shumë të ngathët.

Ka reaguar edhe kryeministri i shtetit malazez, Dritan Abazoviq duke thënë se pyetjet që ende shkaktojnë dyshime duhet të hiqen nga rendi i ditës në atë mënyrë që të gjitha bashkësitë fetare të kenë trajtim plotësisht adekuat dhe të njëjtë, raporton rtcg.

“Unë e kuptoj kontekstin politik të asaj deklarate, nuk jam për kushtëzimin e Qeverisë. Ajo ka programin e saj të punës, të gjithë e kanë ditur kur kanë dhënë mbështetjen e tyre për Qeverinë se cilat do të jenë detyrat”, deklaroi ai.

“Na pret një vjeshtë shumë e vështirë. Na presin probleme që nuk janë të krijuara në Mal të Zi, por jashtë dhe duhet të zgjidhim standardin e jetesës së qytetarëve. Prandaj, kjo çështje duhet të hiqet nga rendi i ditës në atë mënyrë që të gjitha bashkësitë fetare të kenë të njëjtin trajtim. Kështu që patjetër do të ndodhë, në një formë apo në një tjetër. Por nëse dikush bën një lëvizje politike pas kësaj, do të mbajë përgjegjësi për atë që do të ndodhë”, tha Abazoviq.

Ndryshe, Gjukanoviq ka pohuar se kishte biseduar me Abazoviqin dhe se ishin pajtuar që të ndalet procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore në mënyrë që t’i jepet një mundësi tjetër raundi konsultimesh.

“Meqenëse nuk doli asgjë nga ato konsultime, kryeministri Abazoviq do të nënshkruan Marrëveshjen Themelore, të cilën ne e gjykuam se është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nëse një marrëveshje e tillë nënshkruhet, nuk ka më vend për manovrim, do të shkojmë në parlament me iniciativë për votëbesimin e Qeverisë”, tha Gjukanoviq.

Related Articles