Gjukanoviqi shpall kandidaturën për një mandat të tretë si president i Malit të Zi

Gjukanoviqi shpall kandidaturën për një mandat të tretë si president i Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, shpalli të shtunën zyrtarisht kandidaturën për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm. Ai ka mbajtur poste të larta politike për 30 vitet e fundit.

Zgjedhjet e 19 marsit do të mbahen ndërsa vendi është përfshirë nga një ngërç politik njëvjeçar me dy vota mosbesimi për dy qeveri dhe mosmarrëveshje midis ligjvënësve dhe zotit Gjukanoviq për emërimin e një kryeministri të ri të emëruar.

Relievi politik në Mal të Zi është ndarë prej kohësh në forca pro-malazeze, ku bën pjesë Partia Demokratike e Socialistëve e zotit Gjukanoviq dhe ato pro-serbe dhe pro-ruse.

Posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Mal të Zi, por një fitore e zotit Gjukanoviqit mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas zgjedhjeve presidenciale sepse ai ka refuzuar deri tani kandidatët e propozuar për postin e kryeministrit.

“Po hyj në garën zgjedhore me synimin për të fituar shpejt dhe bindshëm,” tha zoti Gjukanoviq të shtunën ndërsa paraqiti kandidaturën e tij pranë autoriteteve zgjedhore.

“Mali i Zi është plotësisht i paralizuar për të bërë përpara në rrugën evropiane dhe kjo agoni duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha presidenti Gjukanoviq, i cili e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë nga bashkimi Serbi-Mali i Zi në 2006, siguroi anëtarësimin në NATO dhe e vendosi atë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kundërshtarët akuzojnë zotin Gjukanoviq dhe partinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që zoti Gjukanoviq dhe partia e tij i mohojnë.

Komisioni shtetëror zgjedhor ka miratuar tashmë dy kandidatë të tjerë presidencialë – Andrija Mandiq nga partia etnike serbe Demokracia e Re Serbe dhe Draginja Vuksanovic Stankoviq i Partisë Social-Demokratike. /zeriamerikes.com

Related Articles