Ambasadori i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq i ka reaguar eurodeputetes gjermane, Viola von Cramon në llogarinë e saj në Twitter, rreth aksionit të djeshëm të policisë kundër kontrabandës.
Gjuriq e ka qujatur deputeten e Parlamentit Evropian si politikania më e papërgjegjshme gjermane, pasi von Cramon i ka dalë në mbrojtje policisë së Kosovës lidhur me aksionin e zhvilluar kundër krimit të organizuar, raporton Gazeta Express.
“Ti duhet të jesh politikania më e papërgjegjshme gjermane. Besimi se për t’u futur në zonat me shumicë serbe me armë nën pretendimin e rremë të zbatimit të një ndalimi të çmendur mbi barnat dhe mallrat serbe katër ditë para zgjedhjeve përmes një operacioni policor është ose naiv ose keqdashës. Një njeri i pafajshëm është qëlluar në shpinë dje, një zonjë e vjetër ka vdekur si rezultat i asaj që ju e përshkruani si një “aksion policor”. Ju duhet të keni turp për veten”, ka thënë Gjuriq.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.
Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Tëitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen. Dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Tëitter.