Gjuriq: Serbia po lufton për interesat e saj në Kosovë, duhet të hyjë në BE si anëtare me të drejta të plota

Gjuriq: Serbia po lufton për interesat e saj në Kosovë, duhet të hyjë në BE si anëtare me të drejta të plota

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka pretenduar se “Serbia do të përfitonte në shumë fronte nga anëtarësimi në BE, por gjithashtu duhet të mbrojë interesat e saj në lidhje me Kosovën dhe marrëdhëniet e tjera në komunitetin ndërkombëtar”.

Në një intervistë për televizionin në shërbim të regjimit serb, “TV Përva”, Gjuriq ka thënë se Serbia “duhet të hyjë në BE si anëtare me të drejta të plota”.

“Vlerësimi ynë i interesit serb është se duhet të hyjmë në Bashkimin Evropian si një vend i barabartë, i pranuar, që do të ketë një karrige me të drejtë vote të plotë, që të vendosë së bashku me të tjerët për politikën e jashtme të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe që të marrë pjesë në ndarjen e buxhetit financiar në Bruksel, i cili nuk është i vogël. Vetëm shikoni, Bullgaria ka marrë mbi 90 miliardë euro nga buxheti i përbashkët i Bashkimit Evropian, Serbia ka marrë gjithashtu miliarda në vitet e fundit, por 10 herë më pak se sa do të kishte marrë nëse do të ishte anëtare me të drejta të plota. Pra, ne fitojmë në shumë fronte nga ky anëtarësim”, ka thënë Gjuriqi.

Ai ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme “të mbrojë interesat kombëtare”.

“Ne kemi interesat tona specifike që lidhen me Kosovën dhe me disa marrëdhënie të tjera në komunitetin ndërkombëtar dhe nuk duam të dalim humbës për shkak se nuk i përgjigjemi disa zyrtarëve apo burokratëve në ndonjë qendër të largët, ne i përgjigjemi para së gjithash qytetarëve të Serbisë. Besoj se na intereson të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, shpresoj se do të jemi, për këtë është e nevojshme vullneti dhe energjia nga të dyja palët”, ka pretenduar ai.

Duke kujtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë sot në samitin Ukrainë-Juglindja e Evropës në Odesë, ai tha se të gjitha këto hapa po ndërmerren si pjesë e përpjekjeve të Serbisë “për të përmirësuar pozicionin e saj në opinionin politik evropian”.

“Të hapim dyer të reja për Serbinë, të sigurojmë hyrje të reja investimesh, të sigurojmë që interesi i Serbisë, qoftë për Kosovën apo tema të tjera, të dëgjohet dhe respektohet më mirë. Nuk varet vetëm nga ne”, ka përfunduar Gjuriqi.

Related Articles