Gjurma e fundit e ekzekutorit të Edmond Papës, aplikoi për pasaportë 13 ditë pas vrasjes

Gjurma e fundit e ekzekutorit të Edmond Papës, aplikoi për pasaportë 13 ditë pas vrasjes

Një ditë para se të shpallej në kërkim për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në zonën e Selitës në Tiranë, Andrew Bode, u pajis me pasaportë të re. Klan mëson se ai ka aplikuar për pasaportë në vendin e lindjes së tij, në Berat më 29 Dhjetor, 13 ditë pas vrasjes që kreu në zonën e Selitës.

Më 30 Dhjetor ai e ka tërhequr pasaportën në mënyrë të përshpejtuar, ndërsa më 31 Dhjetor policia arrestoi bashkëpunëtorin e tij, Albano Velon dhe e shpalli në kërkim 44-vjeçarin beratas, që jetonte në një shtëpi me qira te Kodra e Diellit. Marrja e pasaportës ka qenë hera e fundit që ai ka lënë gjurmë.
Dyshohet se pasaporta mund të jetë përdorur prej tij për të lëvizur nga një vend anëtar i BE në ndonjë tjetër, për të humbur gjurmët.

Organizatori i vrasjes Albano Velos, ka marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022. 30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet është vënë në pranga në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës më 16 dhjetor pranë një lokali në kryeqytet. Ai kishte monitoruar lëvizjet e tij dhe duket se ka pritur që të vijë në Shqipëri për ta vrarë në bashkëpunim me 44-vjeçarin Andrew Bode.

Related Articles