Gjykata del me vendim për rastin e Kobrës dhe pesë të dyshuarve të tjerë për vrasjen në Prizren

Gjykata del me vendim për rastin e Kobrës dhe pesë të dyshuarve të tjerë për vrasjen në Prizren

Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe pesë të dyshuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë me dije se Kobra dhe të dyshuarit Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, mbesin në paraburgim deri më 3 korrik 2023, ndërsa të dyshuari R.S, masa e paraburgimit do t’i llogaritet nga data 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M, J.B dhe R.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M dhe J.B, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet prej datës 03.05.2023 deri më datën 03.07.2023, ndërsa për të pandehurin R.S, masa e paraburgimit do ti llogaritet prej datës nga data 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, me 3 janar 2023, rreth orës 04:00 pas një përleshjeje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë  thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

Related Articles