Gjykata jep detaje për lirimin e Enver Sekiraqës në arrest shtëpiak

Gjykata jep detaje për lirimin e Enver Sekiraqës në arrest shtëpiak

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza është liruar nga paraburgimi.

Rastin e ka konfirmuar avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

“Po, e vërtetë”, ka thënë shkurt ajo, kur u pyet nëse Sekiraqa është liruar në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar, se kjo masë është ndryshuar për dy muaj.

“Enver Sekiraqa është liruar nga paraburgimi pasi ju ka zëvendësuar kjo masë me arrest shtëpiak për 2 muaj“, ka thënë ajo për Express, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-zyrtarit policor Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles