Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj.
“Në vazhdim të njoftimit të mëparshëm lidhur me çështjen Kilaj në muajin maj, më 18 korrik ZSP-ja ka njoftuar publikisht Gjykatësen e Procedurës Paraprake se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Isni Kilajt”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Kilaj ishte arrestuar në nëntorin e vitit të kaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “shkelje e sekretit të procedurave”.
Isni Kilaj u lirua më 15 maj, nën kushte të rrepta, në bazë të vendimit të një gjyqtari të vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHK), të marrë më 3 maj 2024. Ky vendim më pas u la në fuqi nga Gjykata e Apelit e KSK-së.
Në vendimin e tij për rishikimin e paraburgimit të Isni Kilajt, gjyqtari i vetëm konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer, i vetëm ose së bashku me të tjerët, vepra kundër dhënies së drejtësisë. Gjyqtari i vetëm gjeti gjithashtu se një rrezik i moderuar i arratisjes vazhdon të ekzistojë, si dhe rreziku që Kilaj mund të pengojë ecurinë e procedimit penal dhe të kryejë krime të mëtejshme. Ai më tej konstatoi se asnjë nga kushtet e parashtruara nga Mbrojtja për Kilaj, dhe asnjë kusht tjetër i vendosur nga gjyqtari i vetëm, nuk mund të kufizonte plotësisht aftësinë e Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHK-së dhe për të kryer vepra të mëtejshme.