Gjykata Federale thotë se gjykata më e ulët nuk ka shpjeguar pse duhet t`i hiqet leja e qëndrimit kosovarit që kishte rreth 115.000 franga borxhe.
Në regjistrin e ekzekutimit të borxhit (në Zyrën e përmbarimit) të një sipërmarrësi të dështuar 52-vjeçar, figrojnë 24 vërtetime borxhesh të pashlyera që “peshojnë” gjithsej 115,000 franga.
Zyra e migracionit e Kantonit Thurgau që në vitin 2016 nuk kishte dashur t`i zgjaste lejen e qëndrimit shqiptarit nga Kosova për shkak të qasjes së tij ndaj borxheve, transmeton albinfo.ch.
Personi i lindur në vitin 1969, lejen e qëndrimit në Zvicër e ka marrë për herë të parë në vitin 1995, në saje të martesës me një bashkatdhetare me banim në Zvicër. Çifti ka katër fëmijë në moshë madhore.
Departamenti i Drejtësisë dhe Gjykata Administrative e kishin hedhur poshtë ankesën e kosovarit.
Vendimin e kishin justifikuar me listën e gjatë të borxheve. Këtu renditen 24 certifikata humbjeje të pashlyera me një shumë totale mbi 115,000 franga. Dy nga kompanitë që ai themeloi në vitin 2009, kishin falimentuar.
Gjykata Administrative pati arritur në përfundimin se ankuesi nuk ishte i gatshëm të paguante. Rrethanë rënduese ishte fakti se bëhej fjalë për borxhe ndaj shtetit si taksat dhe sigurimi shëndetësor, transmeton albinfo.ch. Me pagën e tij mujore prej 5200 frangash nuk është realiste që ai të mund të shlyejë borxhin, sipas gjykatës në fjalë.
Në vitin 2003 atij i ishte tërhequr vërejtja për menaxhimin e borxhit. Ndërsa, Gjykata Federale kritikon argumentimin e gjykatës më të ulët
Gjykata e Lartë Federale kohë më parë ia ka kthyer çështjen gjykatës më të ulët për sqarime të mëtejshme. Kjo e fundit nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme përse fajin e kishte vetëm borxhliu.
“Gjykata më e ulët konfirmon vullnetin, por nuk jep arsye të mjaftueshme”, shkruan Gjykata Federale.
Fakti nëse kosovari po përpiqet të ulë borxhet është gjithashtu me peshë, shprehet më tutje GJF. Pastaj ajo pyet nëse të akuzuarin e kanë këshilluar ose paralajmëruar se sjellja e tij është problematike nga pikëpamja e të drejtës së qëndrimit në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Edhe pse përmendet paralajmërimi i vitit 2003, nuk shpjegohet se deri në çfarë mase është ende relevant ky paralajmërim pas 18 vjetësh.
Kosovari ka marrë 20 padi penale ndër vite. Bëhej fjalë për shkelje si ajo e ndalimit të parkimit, mosvendosja e rripave, keqpërdorimi i kartave të identitetit dhe tabelave, kundërvajtja pronësore dhe marrja e mallrave të vjedhura, punësimi i të huajve pa leje, mosmbajtja e kontabilitetit dhe keqmenaxhimi.
Sipas Gjykatës Supreme Federale, gjykata më e ulët nuk ka shpjeguar pse duhet t`i hiqet atij leja e qëndrimit në Zvicër.