Gjykimi ndaj Endrit Nikës për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë – Shfaqen pamje nga nata kritike

Gjykimi ndaj Endrit Nikës për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë – Shfaqen pamje nga nata kritike

Në gjykimin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar se ka hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, e cila më pas ka vdekur, janë shfaqur disa video-incizime.

Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij M.K.U., me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gjykimi për këtë rast ka ardhë deri në fazën ku Prokuroria i ka prezantuar provat që i ka për akuzën që e ngarkon Nikën.

Më 07.10.2025 Prokuroria i ka lëshuar në seancë për shikim pamje të kamerave nga nata kritike, teksa i ka elaboruar veprimet e të akuzuarit dhe të viktimës e cila më pas kishte vdekur.

Sipas Prokurorisë, Nika e ka hedhur argjentinasen nga kati i gjashtë i hotelit.

Prokuroria ka shfaqur pamje të kamerave të sigurisë, në të cilat i akuzuari dhe ish e dashura e tij shihej se kishin një konfrontim verbal në një parking.

Prokurori Armend Hamiti ka përshkruar veprimet e Nikës (që shihen në pamje) në drejtim të tashmë të ndjerës si sulme.

VIDEO

Pas kësaj video, prokurori Hamiti kërkoi që të lëshohen pamje të tjera, të cilat janë prova të aktakuzës, ku shihen Nika dhe viktima teksa hynin në objektin e hotelit pas konfrontimit që kishin pasur.

Tutje Hamiti ka shfaqur edhe pjesën e pamjeve nga kamerat e sigurisë në korridorin e hotelit teksa shihet i akuzuari dhe argjentinasja duke u futur në dhomë.

E krejt në fund është shfaqur edhe pamja nga kamerat e sigurisë ku shihet viktima teksa bie nga kati i gjashtë i hotelit dhe më pas ku shihet i akuzuari teksa del poshtë në hyrje të hotelit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Endrit Nika, avokati Drilon Imeri, lidhur me provat e prezantuara nga ana e Prokurorisë, përkatësisht video-incizimet, tha se këto prova nuk vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Sa u përket video-incizimeve, me të njëjtat nuk u vërtetua asnjë element apo veprim konkret se i akuzuari Endrit Nika ka ndërmarrë ndonjë veprim qoftë dhune, formë të shtytjes apo goditjes në drejtim të dëmtuares Maria Clara”- tha avokati.

Paraprakisht në seancë është dëgjuar edhe eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, i cili dha detaje për autopsinë.

Gërxhaliu tha se qëndron pranë raportit të autopsisë dhe dha detaje sa i përket metodologjisë së kryerjes së autopsisë.

“Unë qëndroj pranë raportit edhe sa i përket standardeve operative profesionale në IML. Rasti në fjalë është marrë nga spitali ku edhe ka vdekur në spital. Pas ecurisë së thirrjes të ekipit tonë, andaj në këtë rast hetuesit mjekësorë të vdekjes nuk dalin në spital sepse veçse është lëvizur nga vendi i ngjarjes”- tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se sipas metodologjisë së ngjarjes ata nuk kanë të dhëna nga vendi i ngjarjes, sepse nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur rasti.

Eksperti mjekoligjor tregoi edhe lëndimet që e ndjera i kishte pësuar nga rënia nga kati i gjashtë.

“Dëmtimet e përshkruara duke filluar nga këmba e majtë, kofsha e majtë, ana e majtë e pelvikut pjesa lumbale, krahu dhe parakrahu janë lëndime të shumta të madhësive të ndryshme duke filluar 2×2 milimetra e deri 23×14 milimetra” -tha eksperti.

“Të njëjtat pra janë të formatit të përafërt me të gjitha pjesët e përshkruara si më lart dhe konsistojnë në dëmtimin e indit lëkuror në copëzat apo grimcat e qelqit, kurse në brendësi janë vrojtuar edhe fraktura të shumta të kockave të pelvikut shumëpjesëshe si pasojë e rënies nga lartësia” – tha më tej Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se në trupin e të ndjerës ka pasur edhe hematoma të tjera të cilat nuk kanë pasur të bëjnë më rënien nga lartësia, por që janë shkaktuar nga goditja më mjet të fortë mprehës.

Ndërsa shkaktari i vdekjes së viktimës Gërxhaliu tha se është gjakderdhja e brendshme.

“Si pasojë e këtyre lëndimeve të brendshme të përshkruara si më lart kemi pasur gjakderdhje të abdommemit dhe të kafazit mbi fraktura si dhe tërheqjes së organeve në momentin e rënies, gjakderdhja e brendshme, gjakderdhja në abdomen, kafaz dhe minimalet në pjesën e pasme te kafkës është shkaktari i vdekjes”- deklaroi Gërxhaliu.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në fund të muajit tetor, kur pritet që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë me mbrojtjen e të akuzuarit.

Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Gëzim Ademi dhe Alltëne Murseli.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë në hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Related Articles