Më 7 tetor pritet të hapet procesi i rregullt gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
I gjithë procesi parashihet të përfundojë në fund të dhjetorit të këtij viti, është thënë në konferencën e sotme përgatitore për gjykim të mbajtur nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka miratuar sot kërkesën e prokurorisë për t’ia shtuar listës edhe një dëshmitar.
Përveç kësaj, ndër urdhrat që i ka lëshuar gjyqtari, ishte edhe përcaktimi i datës së fillimit të procesit të rregullt gjyqësor, derisa po synohet që çështja tërësisht të përfundojë më 17 dhjetor.
Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith ka deklaruar se ZPS-ja mund të thërrasë tre dëshmitarë për paraqitjen e çështjes së saj.
Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues ka përcaktuar 7 tetorin si datë për hapjen e procesit gjyqësor, ku ZPS do të lexojë të gjithë aktakuzën në versionin e redaktuar.
Mbrojtja ka kërkuar që aktakuza të lexohet tërësisht në publik, meqë siç ka theksuar, gjyqi është publik dhe aktakuza në tërësi paraqet pretendimet si ZPS-ja i shkruan ato.
Ndërsa prokuroria ka deklaruar që parashikon dy deri në tri seanca për fjalën hapëse me rreth katër orë material audio-viziv.
Kryetari i trupit gjykues ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’ia jep mbrojtjen listën e provave materiale brenda 24 orëve para hapjes së çështjes, përfshirë këtu edhe videot të cilat planifikohen të përdoren si prova materiale prej ZPS-së.
Sipas trupit gjykues, prezantimi i ZPS-së duhet të përfundojë më 18 tetor 2021.
Në seancën e sotme u tha se ZPS-ja duhet të përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj brenda katër seancave.
Ndërsa për kohën e kundër-pyetjeve nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues nuk ka përcaktuar një afat, veçse kryetari i trupit gjykues ka deklaruar se do të ndërhyjnë në kohë nëse është e nevojshme.
“Trupi gjykues përcakton si datë të synuar për mbylljen e çështjes së ZPS-së datën 9 nëntor 2021. Ne, po ashtu, përcaktojmë si datën e synuar për mbylljen e të gjithë çështjes 17 dhjetorin 2021. Këto dy data mund të ndryshohen në varësi të zhvillimit të procedurave”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Smith.