Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar pasuri në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale të lidhura me mashtrime kompjuterike.
Sipas Prokurorisë, sekuestrimi është realizuar në kuadër të hetimeve për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në bashkëpunim me autoritetet gjermane.
Nga hetimet e zhvilluara, Prokuroria thotë se pasuria e sekuestruar dyshohet të jetë përfituar përmes aktiviteteve të kundërligjshme të personave nën hetim.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
