Analisti politik, Valdet Hoxha, për Gazetën Enigma thotë se përçarjet në politikat lokale nuk mund të kenë ndikim në zgjedhjet nacionale.
Kjo pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, veproi në vete, duke bërë koalicion me PDK-në, ndërkohë që LDK tha se nuk e ka aprovuar këtë koalicion.
“Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë ka pasur dhe zhvilluar një demokraci të brendshme funksionale dhe shpeshherë kjo është perceptuar në publik si përçarje”, tha Hoxha.
“Besoj që, pavarësisht rëndësisë që ka kryeqyteti, në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të kenë ndikim politikat lokale, sepse fushata do të përqendrohet në politikat shtetërore, zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale të qytetarëve, raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe tema të tjera nacionale”, shtoi ai.
