Goncharenko: Lufta në Ukrainë do të zgjasë shumë

Goncharenko: Lufta në Ukrainë do të zgjasë shumë

Deputeti ukrainas Oleksyi Goncharenko beson se lufta në Ukrainë do të zgjasë shumë.

Ai thotë se do të kishte dëshirë që të mos kishte filluar lufta fare. Porse, thotë se për Ukrainën është jetike dhe nuk mund ta humbë këtë luftë.

“Dua t’ju them se do të kisha pasur dëshirë që lufta të mos kishte nisur fare apo të kishte përfunduar që dje, por në të vërtetë kujtoj se duhet të përgatitemi pasi kjo luftë do të zgjasë shumë. Kjo për shkak se për Ukrainën është jetike: është të jesh ose të mos jesh”, ka thënë Gonchanreko në Ktv. “Rusia po kryen gjenocid ndaj ukrainasve në territoret e okupuara dhe e kemi shumë të qartë se çfarë na pret po qe se dështojmë. Por ne nuk do të dështojmë”.

Goncharenko ka thënë se shumë kanë besuar se Rusia do ta pushtonte Kievin brenda pak ditëve, porse e ka humbur betejën për Kievin.

Ai thotë se Rusia ka pësuar shumë humbje, por ka okupuar një pjesë të Ukrainës në jug dhe juglindje.

Ai ka thënë se Ukraina duhet të përgatitet për një luftë të gjatë, ndërsa për këtë i duhet ndihma e aleatëve ndërkombëtarë.

“Ndalja e “blic-krigut”, kjo ishte ndërmarrje e jona, dhe ukrainasit e bëmë këtë. I ndalëm rusët. Për ta mbijetuar luftën, kemi nevojë për përkrahjen e Perëndimit, në fakt të botës së lirë, sepse e kemi përkrahjen e Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe shteteve të tjera. Bota e lirë u bashkua rreth Ukrainës dhe po na përkrah dhe jemi shumë falënderues për këtë. Por kemi nevojë për më shumë, për shkak se ndonjëherë duket se disa shtete ngurrojnë më shumë se tjerat”, ka thënë Gonchanreko.

Goncharenko ka thënë se e pengon fakti se jo të gjitha shtetet perëndimore e kuptojnë se si duhet të përfundojë lufta në Ukrainë.

“Disa liderë perëndimorë, si Boris Johnson, apo cilido kryeministër që do ta pasojë, Britania është përkrahëse e fuqishme e Ukrainës; si Ursula Von der Leyen, Andrej Duda, kryetari i Polonisë dhe shumë të tjerë, e thonë qartazi se Ukraina duhet ta fitojë, që nënkupton çlirimin e të gjitha territoreve dhe rikthimin e rendit ndërkombëtar. Liderë të tjerë, siç është Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë thonë: ‘Putini nuk duhet të fitojë’ dhe kjo nuk është njësoj. Nuk është njësoj ‘Ukraina duhet të fitojë’ dhe ‘Rusia nuk duhet të fitojë’, sepse me ‘të mos fitojë’ mund të okupojë territore, apo edhe te kryejë gjenocid. Ky është problem dhe shpresoj se më në fund bota e lirë do të bashkohet rreth një ideje të qartë, se e vetja mënyrë për ta riinstaluar rendin ndërkombëtar dhe për ta kthyer normalitetin është fitorja e Ukrainës. Krejt skenarët e tjerë janë të këqij”, ka thënë Goncharenko.

Deputeti ukrainas ka shtuar se nëse Evropa nuk bashkohet rreth Ukrainës, atëherë nesër duhet të flijojë njerëzit e vetë, pasi presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndalet.

“E vetmja mënyrë që t’i kthehemi normales është që t’i shkaktojmë disfatë të plotë Rusisë. Me disfatë të plotë nënkuptoj të parandalohet marrja e cilitdo territor të Ukrainës. Ne nuk kemi pretendime ndaj territorit rus, por duam t’i çlirojmë territoret tona. E nëse Putini dëshmohet i suksesshëm, atëherë do të shkojë tutje dhe do ta sulmojë direkt Evropën, e pas kësaj nuk do të jetë më çështje e parasë apo e problemeve ekonomike do të jetë sikurse në Ukrainë: me mijëra e dhjetëra mijëra njerëz të vrarë dhe këtë nuk dua që ta shoh në Evropë”, ka thënë Gonchanreko në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai thotë se është një shtet i BE-së që ngurron ta përkrahë Ukrainën, Hungaria.

Ndërsa për shtetet tjera ai thotë se janë pak a shumë përkrahëse të Ukrainës.

“Besoj se bota e lirë është aq e mençur dhe e fortë sa për t’u bashkuar e ndaluar një diktator të marrë”, ka thënë Goncharenko.

Related Articles