Edhe pse vendosin t’i ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, shumë gra përballen me kërcënime e shantazhe derisa të përfundon procesi gjyqësor i divorcit, por edhe më pas.
Raste të tilla janë të shpeshta, por jo gjithmonë denoncohen nga viktimat, me shpresën se problemet zgjidhen.
Në hall me ish-bashkëshortin është edhe një grua në fshatin Radevë të Graçanicës, e cila ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga Policia.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje nga dëshmia e 37-vjeçares, e cila ka pohuar se ish-bashkëshorti i saj ka shpërndarë fotografitë e saj intime në rrjetin social Facebook.
Ajo më tej ka deklaruar se ish-bashkëshorti e ka rrahur, pasi ajo ka shkuar t’ia lë nën përkujdesje fëmijën e tyre.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, 38-vjeçari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Ngacmim’.