Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, do të jetë kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vokrri, i cili tha se, pas mbështetjes që ka marrë nga një numër i klubeve kosovare, do t’i hyjë garës për të parin e FFK-së, ku kundërkandidat do ta ketë Agim Ademin, kryetarin e tanishëm.
“Pas mbështetjes që më ofruan një numër i konsiderueshëm i klubeve, ju njoftoj se nesër në ora 11:00 do të bëhet deponimi i nënshkrimeve, nënshkrime këto që më bëjnë edhe zyrtarisht kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës”, ka shkruar Vokrri në Facebook.
Ai uroi proces fer e transparent, teksa kërkoi përkrahje nga të gjithë.
“Duke uruar për një proces fer, korrekt dhe transparent, ju përshëndes përzemërsisht dhe njëkohësisht kërkoj përkrahjen tuaj”.
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet më 6 prill, derisa kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar se do të kandidojë edhe për një mandat katërvjeçar.