Në një ceremoni të mbajtur në Paris të martën, Greqia nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e anijeve luftarake. Vlera e marrëveshjes është rreth 3 miliardë euro.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Evropa nuk duhet të jetë naive, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të veta dhe duhet ta ndërtojë kapacitetin e vet ushtarak.
“Evropianët duhet të ndalen së qenuri naivë. Kur jemi nën presion nga fuqitë, të cilat nganjëherë e ashpërsojnë qëndrimin e tyre, ne duhet të reagojmë dhe të tregojmë se i kemi fuqinë dhe kapacitetin për ta mbrojtur veten. Jo t’i eskalojmë gjërat, por ta mbrojmë veten”, tha presidenti francez.
“Kjo s’është alternativë për aleancën me Shtetet e Bashkuara. Nuk është zëvendësim, por për të marrë përgjegjësi për shtyllën evropiane brenda NATO-s dhe për të arritur përfundime të cilat kërkohen nga ne për t’u marrë me mbrojtjen tonë”, shtoi ai.
Sipas marrëveshjes të nënshkruar të martën, Athina u pajtua që të blejë tri anije luftarake nga Franca, me mundësi që ta porosisë edhe të katërtën, i tha agjencisë Reuters një burim brenda qeverisë greke, transmeton Gazeta Express.
Kjo marrëveshje, pjesë e një pakti më të gjerë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, vjen në kohën kur Greqia tashmë ka porositur 24 aeroplanë luftarakë këtë vit, duke u bërë shteti i parë i BE-së që e blen këtë model aeroplanësh.