E braktisur nga prindërit, Habibe Ismaili që nga viti 1973 është banore e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë.
Ajo thotë se banorët e kësaj shtëpie i janë bërë familje, derisa për Ekonomia Online ka treguar se shtëpia ku ajo qëndron tash e 47 vjet, i është bërë çerdhe.
Ismailit i është mundësuar që të qëndrojë e vetme në dhomë, pasi që është më e reja nga të tjerët.
Ajo është e kënaqur me trajtimin që i bëhet nga stafi, derisa shton se me rregullimin e objektit të ri do të iu përmirësohen edhe më shumë kushtet.
“Në këtë shtëpi jam vendosu prej 73-ës, si fëmijë, jam rritur këtu, përndryshe kjo shtëpi është bërë çerdhja ime, dhe tash kemi një staf shumë të bukur, janë të interesuar për ne, dhe kemi qenë të gjithë me COVID-19”.
“Trajtimi, unë për veti po flas, jam vet në dhomë, drejtoresha ma ka mundësuar që të jam vet sepse jam më e reja, jemi të kënaqur shumë ka mundësi edhe pak sepse tash po na rregullohet edhe objekti i ri, dhe jemi të kënaqur me të gjitha”.
Gjatë qëndrimi në këtë shtëpi, Ismaili thotë se ka përjetuar shumë gjëra. Ajo përmend luftën derisa me emocion kujton atë kohë, raporton EO.
“Jam e braktisur, prej nënës dhe prej babës, ata të dy kanë vdekur tash, babën e kam njohur por nënën jo, por e falënderoj Zotin së pari, dhe këta njerëz sepse këta janë familja ime, këtu e kam përjetuar edhe luftën, këtu ka qenë armatimi më i madh, 4 750 vetë, unë kam qenë qetu e strehume e mbrojtur prej zotit, maltretime sa të duash, por kur do Zoti me të shpëtua as plumbi nuk të vret”./Gazeta Enigma/.