Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve të bizneseve të regjistruara, në veçanti të atyre me dokumente të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Sipas njoftimit që e ka bërë ministrja Rozeta Hajdari në Facebook, mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë.
“Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, ka shkruar Hajdari.
Ajo ka shkruar se këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”.