Hajnat e armatosur terrorizojnë 71-vjeçarin në Prishtinë, e lidhin dhe ia kërkojnë mbi 70 mijë euro

Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët. Ka plot raste kur viktimat hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun.

Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Fazli Fetahu’ në Prishtinë, ku dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë për të kryer vjedhje në një shtëpi.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se brenda shtëpisë ndodhej një burrë 71-vjeçar, që u përball direkt me hajnat e maskuar, të cilët arritën të futen brenda.

Bazuar në informacionet e para, dy të dyshuarit e kanë lidhur për karrige të moshuarin për disa orë me radhë dhe ia kanë kërkuar mbi 70 mijë euro, të cilat pretendonin se viktima i kishte.

Me t’u denoncuar rasti nga disa familjarë të viktimës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të cilësohet ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.

Related Articles