Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje gjatë muajit të Ramazanit. Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në fshatin Xërxë të Rahovecit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se hajnat kanë vjedhur nga shtëpia e tij stoli ari që në total kapin vlerën e mbi 9 mijë eurove.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, gjatë kohës kur familja s’ka qenë aty, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.