Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar pasi ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ishte lënë në rreshtin e parafundit në organizimin e bërë sot me rastin e parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Abazi ka thënë se ata që janë gjallë dhe kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe çlirimin, do të duhej të uleshin në rendin e parë.
Sipas deputetit Abazi, në rendin e parë do të duhej të uleshin familja Rugova, familja e Ahmet Krasniqit, Ilir Konushefcit, Edmond Hoxhës, Agim Ramadanit e Zahir Pajazitit.
Në fund Abazi ka thënë se pas çlirimit nga Serbia, duhet të çlirohemi nga vetja dhe nevoja për poshtërim të tjetrit.
Reagimi i plotë:
Urime Dita e Çlirimit
Sakrifica e gjeneratave, vrasjet e patriotëve me shekuj, gjaku i heronjëve të panënshtruar, lufta çlirimtare e betejat për mvetësi nga osmanët dhe sllavët, mendjendritrurit e kombit që mbajtën e lartësuan gjuhën dhe kulturën tonë, organizimi i parë jashtë sllavëve i udhëhequr nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, vazhdimësia e luftës së Shaban Polluzhës dhe patriotëve në luftën e Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëheqjen e kësaj Ushtrie nga Hashim Thaçi dhe sakrfica sublime e familjes Jashari, Haradinaj, Deliu, Çeku dhe me dhjetra e qindra familje dhe heronjë e dëshmorë, sot duhet kujtuar dhe falënderuar përjetësisht. Edhe atyre që janë gjallë dhe kanë bërë dhe kanë dhënë gjithëçka për liri dhe çlirim poashtu duhet të u jemi mirënjohës dhe në Ditën e Çlirimit duhet t’i ulim në rendin e parë!
Aty do të duhej të uleshin edhe familja Rugova, edhe familja e Ahmet Krasniqit, Ilir Konushefcit, Edmond Hoxhes, Agim Ramdanit, Zahir Pajazitit….
Urime Çlirimi nga sllavet, tani na duhet të çlirohemi nga vetja dhe nevoja për poshtërim të tjetrit.