Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha se Programi i Qeverisë nuk ka vizion të qartë se si duhet avancuar gratë dhe vajzat që t’i kenë mundësitë e barabartë në zhvillim.
Halimi tha poashtu se në Program përfshihen vetëm pika që ushqejnë pabarazinë, si pushimi i lehonisë dhe shtesat për fëmijë.
Statusi i Plotë
Përfshirja e grave dhe vajzave në Programin e Qeverisë është më shumë represiv se sa parandalues. Në mungesë të perspektives gjinore në programin si tërësi, asnjë e re për të ndryshuar pozitën e rolin e grave në këtë vend. Gratë janë trajtuar në kuadër të kornizave patriarkale, ambientit shtëpiak. Ky program, në vend se të ketë një vizion të qartë se si duhen avancuar gratë dhe vajzat në mënyrë që ato t`i kenë mundësitë e barabartë në zhvillim, i mban brenda shtëpisë, duke i ofruar disa copëza mendimesh për pushim të lehonisë, shtesa për fëmijët e çështjet që lidhen kryesisht me pasojat e pabarazisë, por jo edhe me shkaqet, për temat që do ta garantonin një rrugëtim drejt një barazie.
Se sa ky program i ka kushtuar rëndësi grave tregon fakti se prej 60 faqesh, shumë pak përmenden gratë, e vetëm katër herë vajzat. Derisa për disa nga temat kruciale që eventualisht mund të japin pak shpresë kur i vihet optika grave, janë vetëm fjali dëshirore në kuadër të grupeve të nënpërfaqësuara, pa një trajtim serioz.
Madje, shumë pak fjalë për gratë në trashëgimi e pronë, pabarazitë gjinore në tekste shkollore, ngacmimet seksuale, fuqizimin ekonomik, shkollimin e barabartë, edukimin shëndetësor e shumë e shumë çështje që po t`u kushtohet pak rëndësi gjithsecilës, do të mund të thuhej se mund të ndryshohej diçka në këtë vend. Madje, të lënë në harresë edhe kategoria më e ndjeshme shoqërore, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Derisa, mos të flasim për grupet e tjera si LGBTI, term i eliminuar tërësisht nga mendësia e program hartuesve. Gratë për votë, por jo për ato!