FC Prishtina u trazua sot pas shkarkimit të Ismet Munishit dhe pas dorëheqjes së kryetarit Hakif Gashi.
I pari u largua për shkak të mungesës së rezultateve të dëshiruara, kurse i dyti për shkak se nuk mundi ta gjente koordinimin me aksionarët e klubit.
Ndërkohë, “Gazeta Express” ka biseduar me Rrahman Haradinin, i cili ka rrëfyer ekzkluzivisht rreth gjendjes në klubin kryeqytetas.
Aksionari më i madh i Bardhekaltërve insiston se raportet mes aksionarëve nuk janë të këqija.
Por, shton se disa prej aksionarëve nuk i kanë kryer obligimet që ju takojnë, e ndërkohë nuk janë kompletuar disa shit-blerje të aksioneve, të cilat kanë shkaktuar amulli dhe mjegull në klub.
Kjo, sipas tij, e ka shtyrë edhe kryetarin e deritashëm, Hakif Gashi që ta ofrojë dorëheqjen.
“E kam parë vendimin e Hakif Gashit përmes email-it. Po pres që të na thërrasë për t’u takuar. Nuk kisha thënë që ka ndonjë problem të jashtëzakonshëm në klub, por ka mos-dakordim, ka mos-angazhim, shumica e aksionarëve nuk i kanë paguar ato që ju takojnë sa i përket përqindjes që e kanë. FC Prishtina ka probleme financiare. Aksionarët nuk i kanë përcjellë përqindjet e tyre, përndryshe gjithçka do të ishte në rregull. Pra, ka mos-sqarime rreth aksioneve që i kanë shitur, nuk janë të rregulluara si duhet dhe kjo ndoshta e ka shtyrë kryetarin të japë dorëheqje”, deklaroi fillimisht Haradini për “Express”.
Ai beson se prishtinasit mund të dalin nga kjo krizë, si në rezultate, ashtu edhe brenda klubit.
“Me një angazhim të të gjithëve, me një angazhim krejt të vogël, mund të dalim nga kjo situatë dhe të kthehemi në majat e futbollit kosovar”, nënvizoi ai.
Haradini: Raportet me Remzi Ejupin janë korrekte
Rrahman Haradini dhe Remzi Ejupi janë dy aksionarët më të mëdhenj të klubit prishtinas.
Shpesh është folur se raportet mes tyre janë të krisura dhe se nuk kanë përputhje mendimesh.
Por, aksionari më i madh i klubit ka sqaruar gjithçka për gazetën.
“Me Remzi Ejupin i kemi raportet korrekte, nuk kemi asnjë problem. Pasi të kthehem nga Zvicra do të bisedojmë për gjithçka me të dhe më aksionarët tjerë, dhe me kryetarin e deritashëm, Hakif Gashi”, nënvizoi ai për “Gazetën Express”.
Haradini insiston se nuk e ka ndërmend të kandidojë për postin e kryetarit të klubit, ndërsa thotë se për momentin nuk ka ndonjë opsion për ta marrë një pozitë të tillë, të cilën para Gashit e kishte mbajtur për një kohë të gjatë Remzi Ejupi.
“Rraha” zbulon se në të kaluarën ka pasur interesim nga jashtë klubit për blerjen e aksioneve, por që kjo nuk ka ndodhur për shkak se aksionet nuk janë të precizuara si duhet.
Prishtina: Votuam kundër Agim Ademit, Federata po na hakmerret në rezultatet
FC Prishtinës nuk po i ecin punët aspak mirë në këtë edicion në Superligë, ku aktualisht gjendet në pozitën e katërt në tabelë, 7 pikë prapa Gjilanit, i cili është i treti, pozitë kjo që çon në Evropë.
Pra, prishtinasit mund të mbesin pa garat evropiane e drejtuesit e klubit e kanë drejtuar gishtin kah Federata e Futbollit, për të cilën thonë se po u bën padrejtësi, për faktin se kanë qenë kundër emërimit të kryetarit Agim Ademi, shkruan “Gazeta Express”.
“Situata në këtë sezon është kaotike për ne. Na kanë dëmtuar shumë, kanë bërë shkelje të mëdha referët, bile jashtë normales. Nëse gabon një herë, falet, por nëse gabon shpesh, do të thotë që e ke bërë me qëllim. Ky nuk është sport, nuk është reale, nuk kam koment, një referim skandaloz. Mendoj se Federata po na hakmerret për shkak se kemi qenë kundër votave të zgjedhjes së kryetarit të Federatës, ky ka qenë vendim i klubit, i cili ka kërkuar që të ndërrohet kryetari për të mirën e futbollit, e tash po këqyrin me na shkel”, përfundoi Haradini.
Sipas tij, ekipin përkohësisht do ta drejtojë Debatik Curri, e më pas do të shikohet mundësia e angazhimit të ndonjë trajneri tjetër.