Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, së fundmi është shprehur se kanë vizion të qartë për arsimin.
Hamza u shpreh se do të ketë rritje të pagave për mësuesit, profesorët dhe të gjithë punëtorët e arsimit.
“Kur flas për arsimin, nuk flas vetëm si politikan, flas si njeri që beson thellësisht se arsimi është fuqia më e madhe e një kombi. Nuk janë shtete të pasura vetëm se kanë resurse natyrore, por shtetet më të pasura, më të zhvilluara janë ato që i kanë të ngritura kapacitetet njerëzore, e ju jeni ata që kontribuoni në ngritjen e këtyre kapaciteteve”.
“Flas si dikush që ka punuar me studentë dhe ka parë nga afër potencialin e jashtëzakonshëm që ka rinia jonë, dhe mbi të gjitha flas me përulësi dhe mirënjohje për punën tuaj të palodhshme”.
“Ne kemi një vizion të qartë për arsimin, unë nuk jam këtu për të bërë premtime të zbrazëta, nuk jam këtu për të thënë fjalë të bukura që harrohen pas zgjedhjeve, jam këtu për t’iu thënë zotime konkrete, për t’iu siguruar që bashkë mundemi ma mirë”.
“Rritja e pagave për mësuesit, profesorët dhe të gjithë punëtorët e arsimit, do të ndodhë. Përkushtimi juaj duhet të shpërblehet me paga dinjitoze, prandaj qysh në vitin e parë të qeverisjes sime do të rrisim pagat e sektorit publik për 50 për qind, për të siguruar që ju të punoni me dinjitet dhe motivin”, është shprehur Hamza. /Gazeta Enigma